Liqeni rrëzëllen nën diellin e ngrohtë të fundprillit ashtu si dhe jeta, por ndjesia e shkëlqimit mbetet vetëm një iluzion optik që e krijon shikimi verbues i njollave të shndritshme që nuk ekzistojnë. Ato mbi shkurre dhe pemë rrotull, të cilat s’di për dreq pse të gënjejnë. Ky është shkëlqimi davaritës i dritës së diellit, i tundimit për ta kapur atë e për ta futur brenda kraharorit… është reflektimi i asgjësë rrotull që në të vërtetë përndez krijesat aty pranë, tërbon rosakët që lahen brenda në liqen e zogjtë sipër tij. Liqeni nuk ka një pafundësi në të tërën e vet e të udhëtosh në të të duket kaq imorale, thoshte Oscar Wilde nëpërmjet një personazhi në një nga novelat e tij. Çfarë ka dashur të thotë shkrimtari, kjo është një dilemë apokalistike e me të cilën merrte fund ora e letërsisë dikur. Çfarë mendoj se do ta bënte imorale… do të ishte ndoshta thjesht mendimi i gënjeshtërt se liqeni duhet soditur por nuk duhet prekur, sepse pikërisht kur përpiqesh të ndërmarrësh nismën të udhëtosh në të, atëherë aty çdo gjë ka mbaruar. Nuk është si deti apo si lumi. Çfarë tjetër duhet të ketë pasur në kokë shkrimtari anglez me shpirtin e butë prej mjellme veç kësaj arsyeje?! Asgjë, mendoj. Liqeni mbetet mistik