Si u vra Ali Pasha, fjalët e fundit për Vasiliqinë
– Atëherë binduni fatit tuaj! Merrni avdes! Lutuni Allahut dhe Pejgamberit të Tij! Kërkohet koka juaj …
Aliu nuk e la të mbaronte.
– Koka ime, – ia ktheu i xhindosur, – nuk do të dorëzohet si të ishte koka e një skllavi.
Pas shkëmbimit të shpejtë të këtyre fjalëve, u dëgjua një e shtënë pistolete që plagosi Hasanin në kofshë. Aliu, i shpejtë si drita, shtiu mbi myhyrdarin; truprojat qëlluan në të njëjtën kohë duke shtrirë përdhe disa oficerë. Osmanët e tmerruar dolën me vrap nga godina. Aliu, duke parë gjak që i rridhte nga një plagë në kraharor, ulëriti si një dem i tërbuar.
Kurrë më parë nuk kishte pasur zi më të madhe. Gjatë gjithë natës, përfaqësues nga fise të ndryshme shqiptare nderuan me radhë kufomën, duke improvizuar këngë vajtimi tepër prekëse dhe shprehëse. Në agim, trupi, i larë e i bërë gati për ritet myslimane, u fut në një arkivol të mbështjellë me një pëlhurë të rrallë indiane prej kashmiri, mbi të cilin u vendos një çallmë e mrekullueshme, e zbukuruar me pendët që Aliu vinte gjatë betejës. Kalit të tij të luftës iu pre krifa dhe kafshës i vunë përsipër një mbulesë të stolisur ngjyrë vjollcë. Mburoja, shpata, armët e tij të shumta dhe stema të ndryshme u ngarkuan në kuaj. Kortezhi u drejtua për nga kështjella, mes thirrjesh ngushëlluese e të përzemërta të ushtarëve.
Paskëtaj, xhelatët u morën me gratë e tij. Fatkeqen Zybejde, historia skandaloze e së cilës përflitej edhe në Stamboll, e futën në një thes dhe e hodhën në lumin Pursak. Katerina, gruaja tjetër e Veliut, dhe bijat e tij nga nëna të ndryshme, u morën zvarrë drejt pazarit dhe iu shitën në mënyrë poshtëruese barinjve turkomanë. Më në fund, këta xhelatë kishin për detyrë të bënin një inventar të pasurive të viktimave të tyre.
Por trashëgimia e Myftar Pashës nuk ishte një pre dhe aq e lehtë për t’u konfiskuar. Oficeri otoman që guxoi të prezantohej duke i zgjatur fermanin, ra si thes në këmbët e Myftarit që i futi një plumb ballit.
– Maskara! – bërtiti Myftari duke ulëritur si një dem i harbuar që sapo i ka shpëtuar thikës së kasapit. – Ç’të thotë mendja? Që arnauti vdes si një eunuk? Edhe unë jam tepelenas! Nxirrni armët! Shtini mbi ta, ndryshe na pret vdekja!