Të flasësh do të thotë të përkthesh, por a po flasim të njëjtën gjuhë?
O qytetet e buzës së detit, i shoh banorët tuaj, burra e gra, të lidhur fort me hekura të rëndë në duar e këmbë nga njerëz që kurrë s’do t’a marrin vesh gjuhën tonë; dhe ju s’keni si t’ua shfryni njëri-tjetrit dhimbjet e zemrës dhe mallin e lirisë, veçse me vaj e me ofshama, me rënkime e me lot. Se ata që ju lidhën nuk e marrin vesh gjuhën tuaj, e as ju të tyren nuk e kuptoni.
- Leonardo Da Vinci
Supozo për hir të argumentit, se kohët e fundit je i interesuar më shumë seç duhet për “gjuhën” dhe “të folurin”. Nis të gërmosh e të lexosh vërdallë dhe shumë shpejt hasesh me një mal me fjalë që të ngjethin mishin, si p.sh.: “ETIMOLOGJI”; “SINTAKSË” “MORFOLOGJI” apo “SEMANTIKË”. Për një çast ti ndalon dhe mendon se mbase do ishte më mirë të kërkoje “Njerëz” në vend të fjalëve… Përpiqesh dhe shumë shpejt hasesh me disa emra të vështirë evropianësh me mustaqe të trasha, të cilët pasi ke nisur t'i lexosh, të kthejnë prapë në pikënisje. Ndoshta do të ishte më e lehtë të fillonim me diçka më konkrete.
Marrim një shembull: “Ftua” (emër, m, frut). Shanset janë që kur unë përmend fjalën “ftua”, ti e di se për çfarë jam duke folur. Le t’a zëmë se dua të flas për një ftua specifik, për atë që kam ngrënë në oborrin e gjyshit kur isha fëmijë.
Ishte aq i madh për mua, sa mënyra e vetme për ta mbajtur ishte me të dyja duart. Pastaj ngjyra. ishte një e verdhë e zbehtë, si e verdha e një letre të vjetër të lënë në diell, me njolla të lehta kafe në vende ku lëkura dukej më e pjekur, njolla që përpiqesha t’i fshija instinktivisht me gisht. Nuk ishte e verdhë e pastër apo e ndritshme, por një ngjyrë e rëndë, pak e shpëlarë, që të jepte ndiesinë se fruti kishte kaluar kohë të gjatë varur në pemë para se të binte në duart e mia. Mund të përshkruaj sipërfaqen, lëkurën paksa me push, e cila nuk ishte krejtësisht e butë, por kishte një teksturë të imët të përbërë nga gropëza të vogla, të thata, që të gudulisnin lehtë shputën e dorës kur e mbaje. Dhe pastaj aroma. Mbaj mend që vinte si përzierje e rëndë, e ëmbël dhe pak e çuditshme, gati egzotike, që dukej sikur mbetej në ajër edhe pasi fruti ishte ngrënë. Unë mund të të them se kishte shije të fortë, e të athët, që të mblidhtte gojën menjëherë sapo e kafshoje, e të linte një ndiesi të lehtë mpirjeje në gjuhë e cila, pasi e kishe përtypur, zgjaste edhe pak.
Unë mund të ulem gjithë ditën e të vijoj të përshkruaj detajet e këtij kujtimi që më ka mbetur në mendje nga fëmijëria. Ajo për çfarë jam i sigurtë, është fakti që kur thërras këtë kujtim në kokën time, nuk mund ta kopjoj këtë “ftua” dhe ta tejçoj tek ty njëlloj siç e shoh unë.
Ndaj, unë përdor gjuhën. E zbërthej përjetimin tim në elementët e tij kyç si madhësia, ngjyra, tekstura, aroma, shija dhe më pas t’i jap ty, duke shpresuar që ti do t’i marrësh këto elementë dhe me to do të rikrijosh në kokën tënde të njëjtin ftua që unë mbaj mend.
Tani, në mënyrë që ky proces të funksionojë, ne të dy duhet të kemi të njëjtin kuptim përsa i përket elementëve që unë ndava. Nëse ti nuk ke parë kurrë një ftua, e nuk ja ke idenë se çfarë madhësie, ngjyre, forme, arome apo shije ka, atëherë shanset janë që imazhi i përjetimit tim do të jetë i cunguar për ty.
E vërteta është se imazhi që ti ndërton në kokën tënde do të jetë gjithmonë i ndryshëm nga i imi. Tani imagjino që në vend që të flasim për një frut, nisim të flasim për një përjetim shumë më subjektiv si dhimbja, dyshimi, turpi, faji ose dashuria….
Brenda çdo mendjeje ka mendime që fliten në gjuhën amtare vetëm nga një person. Dhe të flasësh e të dëgjohesh do të thotë të kalosh nga gjuha personale (përjetimi im) në një kod të përbashkët (për ne gjuha shqipe) dhe pastaj në një gjuhë tjetër personale (përjetimi yt).
Përkthimi nuk është kurrë i plotë.
E nëse është kështu, atëherë lind një pyetje tjetër.
Kush është autori? I kujt është imazhi që u krijua në fund? I imi? I yti? Apo mbase i yni? Unë shtova ujin, ti shtove miellin. E punuam bashkë. Por, meqë ti je ai që do ta pjekë dhe unë nuk jam në kuzhinën tënde, në fund je ti ai që do t’ia ndiejë shijen.
Mbase nuk ka nevojë të jetë më e ndërlikuar se kaq. Gjithsesi…. Në fund të ditës,
Ftoi, ftua mbetet.













