Tema globale e CreativeMornings për muajin nentor është LIMINAL, rreth së cilës do të flitet në 220+ qytetet, që aplikojnë këtë projekt që prej vitit 2008. Në Tiranë kemi ftuar arkitekten dhe Ministren e Kulturës Znj. Elva Margariti, e cila do të ndajë me ne eksperiencën e saj kreative dhe profesionale rreth kësaj teme. "I përkas një brezi që shkeli në adoleshencë në kapërcyell të dy sistemeve politike, duke rendur drejt kuptimit të vërtetë të fjalës liri, por duke marrë me vete gjurmët e një regjimi që do të na shënjonin përgjithmonë; rendëm drejt një tjetër lirie, në një vend tjetër, pa kthyer kokat pas, por duke marrë me vete si një koracë shpëtimi, shtëpinë, atdheun, mallin… Rendëm nga stacioni në stacion si vendkufijtë idealë drejt territoreve të reja; në zbulimin e vetvetes si njeri dhe profesionist, mes linjash dhe formash; në hapësirat ku mistikja dhe e prekshmja; jeta dhe përtej jeta humbasin konturet; në shtresëzime kulturash e mbivendosje arkitekturash, mishëruar në arkada, kolonada, kupola e afreske kishash e xhamish. Unë jam një nga përfaqësuesit e brezit tim, që u ktheva sërish në vendlindje, pas 16 vitesh jetese në Itali, në vendin e bukurisë së përjetshme, dehjes së të cilës nuk i shpëton askush; me 16 vite eksperiencë jete; ish-emigrante, grua dhe nënë; që rigjeti tokën e premtuar në atdheun e vet, që e priti me sfida të pamenduara. Sot jam duke shkelur në një tjetër terren, duke mbajtur mbi shpinë fitore të vogla profesionale e humbje të mëdha personale, me rrëzime e ngritje; me përgjegjësi të shtuara; me eksperienca që më kanë pasuruar; me miq të rinj në atdheun e “vjetër” dhe miq të vjetër që kam lënë pas në atdheun e ri. Nxitojmë të rritemi, ndërsa ruajmë fëmijën brenda nesh; rendim drejt ‘konformizmit’ teksa jemi të etur për liri; veshim fëmijët tanë me ëndrrat tona. Në kupolën e vendimmarrjes me kostumin e një ministri, me ëndrrat që rrokin qiellin prej arkitekti, mes dyzimesh profesionale e zgjedhjes racionale. E duket se, sa të kemi frymë do të jetojmë në gjendje të ndërmjetme: E rritur dhe fëmijë; bijë edhe grua; grua dhe nënë; profesioniste dhe vendimmarrëse… @elva.margariti @ministriakultures @joanadhiamandi @klestiaaa #cmliminal https://www.instagram.com/p/CW5drQQNuoH/?utm_medium=tumblr