“Këpërata” e analfabetëve politikë dhe dijetarët e braktisur…!
[M]ë erdhi në mend historia tragjike e mësuesit patriot Theodhor Haxhifilipi, i njohur si Dhaskal Todri, një figurë e ndritur, njeri i nderuar dhe me emër të madh në komunitetin ortodoks të Elbasanit, i cili në vitin 1805 (pra, në moshën 75-vjeçare), u bë viktimë e dhunës greke dhe asaj turke kundër arsimimit shqip. Gjatë viteve 1751-1801, ai ka mbajtur Kodikun e Shën Mërisë të Kishës së Kalasë. Më pas shkoi nëpër Europë për të derdhur shkronjat shqipe, që të krijonte një shtypshkronjë në shqip. Shtypshkronjën do ta ngrinte në Elbasan, pasi në këtë qytet kishte shumë tregtarë që shkruanin me alfabetin e tij. Asokohe, Shën Gjoni ishte qendër e shkrimit të shqipes. Dhaskal Todri u vra, ndërsa transportonte shtypshkronjën për në Elbasan, në rrethinat e Manastirit, në Dhiavat të Resnjës. Vrasja ishte një akt i pashembullt obskurantist i kishës greke, e cila prej kohësh i kishte vënë nga pas agjentët e saj. Ky akt mizor është materializuar me shumë vërtetësi dhe origjinalitet në njërën prej realizimeve të shkëlqyera të kinematografisë shqiptare, në filmin artistik shqiptar “Udha e shkronjave”, i regjisorit të mirënjohur Vladimir Prifti, me skenar të Peçi Dados e V.Prifti. Një histori që përmes skenave dhe mizanskenave të përzgjedhura në film, veshjeve dhe episodeve të vendosura në kohë, të bën të përjetosh me kaq shumë emocion të gjithë atë përpjekje, heroizëm dhe aspiratë të këtij patrioti rilindës, por. nga ana tjetër, drithërohesh për dramën e ngjarjes që përcillet përmes lojës brilante të aktorëve Sandër Prosi, (“Artist i Popullit”), në rolin e Dhaskal Todrit dhe Bujar Lakos (“Nder i Kombit”), ky i fundit në rolin e shoqëruesit udhërrëfyes të karvanit me kuaj, me të cilin transportonin arkat të mbushura me germat shqipe të derdhura në plumb. Mbresëlënëse mbetet për shikuesit e këtij filmi edhe ky dialog i zhvilluar midis Dhaskal Todrit e shoqëruesit të tij, Tunxhit, një fshatar besnik dhe i ndershëm, por analfabet, i cili nuk di as shkrim, e as këndim. Djaloshi Tunxh e shoqëron dhe i qëndron pranë me fanatizëm Dhaskal Todrit. Ai e adhuron dhe e mbron me kokën e tij mësuesin patriot nga çdo e keqe që mund ti dalë përpara gjatë udhës për transportin e ngarkesës me karvan. Është një dialog kur gjatë momentit të rrugëtimit me kuajt e lodhur, dita fillon të errët dhe udha bëhet edhe më e vështirë, duke sjellë të papritura e rreziqe. Befas, Tunxhi, në një distancë të afërt, dëgjon disa trokëllima kuajsh…
Tunxhi: Dëgjoj hapa kafshësh, zotëri…! Dhaskal Todri: Mbase është ndonjë karvan si ne. Tunxhi: Kam frikë mos janë koshallet e turkut (trupat e xhandarëve turq). Me ta s’e gjej dot fjalën unë! Dhaskal Todri: Kam një ferman nga pashai. Tunxhi: Paske mik edhe pashanë….!? Dhaskal Todri: Atë ferman e paguam 1.000 grosh të argjendtë. Miqtë e mi mblodhën para për këto shkronja. Njëzet qese gëlltiti ai maskara! Tunxhi: Bre, bre, një dynja para për këto copa plumbi…?! Dhaskal Todri : Janë flori e shkuar floririt këto shkronja, o bir….! Me to do të shkruhet gjuha jonë, do të bëjmë shumë libra, do mësojnë fëmijët që të bëhen njerëz të ditur e ç’nuk do të shkruhet me këto shkronja. or Tunxh…! Edhe ajo kënga që këndove atje buzë liqenit, do të shkruhet. Tunxhi: E si u shkruaka kënga, zotëri? Ajo këndohet. Dhaskal Todri: Këndohet, por kënga ka fjalë, fjalët shkruhen në kartë e përhapen ngado. Të huajt duan të na e varrosin gjuhën tonë. Edhe këngën, edhe kujtimin e trimave, ato shkronja do t’i mbajnë gjallë… Tunxhi: Qenkan flori vërtet, zoti Dhaskal! Dhaskal Todri: – Floriri tretet dhe humbet, kurse gjuha dhe këngët mbeten. Thonë se ai trimi i këngës ka pasur një kollan të artë. Kollana i humbi, kurse kënga i mbeti. E këndoi gjyshi, e këndon ti, do ta këndojnë të gjithë kur të kemi shkronjat tona, or Tunxh…
Ilir Çumani












